TIRANE- Këto ditë në rrjetin social ‘FACEBOOK’ ka qarkulluar një bisedë private midis Flori Mumajesit (Threedots Producer) dhe Besfort Hasanaj (i njohur gjithashtu edhe si BESFORT VIDEO M1 apo Chibis Hasanaj). Shumë akuza dhe diskutime janë përhapur në lidhje me këtë bisedë, e cila është zhvilluar me fjalë dhe tone të forta, si pasojë e provokimeve të vazhdueshme nga Besfort Hasanaj. Situata mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë dhe se për çfarë bëhet fjalë konkretisht nuk është e qartë për publikun ndaj Threedots Albania Music Publishing dëshiron që me anë të këtij komunikimi të sqarojë opinionin publik.Besfort Hasanaj prej kohësh ka kërkuar të bashkëpunojë me producentin dhe këngëtarin Flori Mumajesi mbi produksionet e realizuara prej tij. Propozimet e bëra kanë pasur si qëllim mbledhjen e të ardhurave të gjeneruara nga platforma ‘on line’ si psh. ‘YouTube’, etj. Për të sqaruar publikun mbi këtë pikë, prej kohësh platforma ‘YouTube’ (dhe të tjera të ngjashme me të), ofrojnë mundësinë e partneritetit me to, duke shpërblyer kështu krijuesit e veprave audio/vizive për çdo shikim që u bëhet atyre në ‘YouTube’.E shpjeguar më thjesht, në momentin që jeni duke parë një video në ‘YouTube’, ju shikoni njëkohësisht një reklamë (banner ose video) për të cilin ‘YouTube’ paguan më pas personin që e ka bërë ‘upload’ videon në kanal, pasi ai ka deklaruar që gëzon të gjitha të drejtat autoriale mbi këtë vepër audio/vizive. Një formë tjetër e mbledhjes së këtyre të ardhurave është gjithashtu edhe dërgimi i shikuesve në një Website specifik, ku edhe pse video mund të mos ketë reklamë, reklamat dhe të ardhurat gjenerohen nëpërmjet shfaqjes së saj në Website. Besfort Hasanaj akuzon publikisht producentin Flori Mumajesi për marrëveshje të çuditshme dhe për shkelje të të drejtave autoriale të disa artistëve, pasi ky i fundit ka marrë masa për heqjen e të gjithë materialeve nga ‘YouTube’, të drejtat autoriale të së cilave i gëzon Flori Mumajesi (si krijuesi i tyre) dhe publikimi i tyre është kryer pa asnjë autorizim, marrëveshje apo çdo formë tjetër komunikimi me të. Për të sqaruar pak më shumë çështjen e të drejtave autoriale. Në një produksion muzikor, të drejtat e përfshira në të janë: Composer/writer (të drejtat e kompozitorit), Publisher (të drejtat e kompanisë publikuese të materialit), Lyrics (të drejtat e tekstshkruesit), Interpreter (të drejtat e interpretuesitkëngëtarit), marrëdhënia midis të cilëve rregullohet në bazë të një kontrate e cila përcakton kushtet e bashkëpunimit. Z.Hasanaj e ka përcjellë konfliktin me producentin Flori Mumajesi gjatë gjithë aktivitetit të tij ‘on line’ me ngjyra patriotike, raciste dhe madje ka aluduar se konflikti në fjalë ka të bëjë me një rivalitet Kosovë-Shqipëri e madje ka përdorur terma vëllezër e motra, serb, grekë, etj... Këto janë vetëm disa tentativa të dështuara të tij për të mbuluar në fakt problemin e tij të vërtetë, abuzimin me çdo artist/e shqiptar/e i/e cili/a mbase nuk ishte i/e informuar mbi të ardhurat që gjeneroheshin nga publikimet e materialeve audio-vizive, por i gëzoheshin të pasurit shumë klikime dhe në këmbim firmosnin autorizim për Z. Hasanaj (edhe pse në fakt ai nuk mund të hyjë në një marrëdhënie publikimi vetëm me interpretuesin e një vepre muzikore). Flori Mumajesi ka qenë prej vitesh një nga artistët më të kërkuar në Kosovë dhe ka kontribuar gjithmonë e më shumë me muzikën e tij duke pasur gjithnjë e më shumë miq e bashkëpunëtorë në Kosovë. Tema patriotike sigurisht që është keqpërdorur me qëllim nga Besfort Hasanaj.
Por ku qëndron konflikti në të vërtetë?
Z. Hasanaj gjeneronte të ardhura nga produksione muzikore të realizuara nga Producenti Flori Mumajesi, për të cilat jo vetëm që nuk kishte marrë asnjë autorizim (nga ky i fundit), por nuk ka pasqyruar kurrë të ardhurat e gjeneruara prej tyre dhe sigurisht nuk ka shlyer asnjë detyrim ekonomik ndaj Flori Mumajesit si gëzues i pjesës më të madhe të të drejtave autoriale mbi këto vepra, cilësojmë: Kompozitor, Tekst shkrues, Publisher. Në shumë raste këto publikime nga Besfort Hasanaj janë bërë pa asnjë lloj kontrate ose duke marrë një autorizim nga interpretuesi/këngëtari (që sigurisht as ai nuk ka parë asnjë të ardhur nga këto publikime), ndërkohë që ai do të duhej të kishte kontratë ose autorizim gjithashtu nga Flori Mumajesi dhe nga Threedots Albania Music Publishing përpara se të kryheshin këto publikime. Besfort Hasanaj e akuzon Flori Mumajesin me faktin se këngëtari ka paguar për këngën e realizuar dhe si pasojë është pronar i të gjitha të drejtave, por sigurisht kjo nuk është aspak e vërtetë. Pagesat që kryhen ndaj një kompozitori apo studioje kanë të bëjnë me shlyerjen e detyrimeve të këngëtarit ndaj producentit dhe studios, orët e punës, por sigurisht edhe garantimin e disa të drejtave ekskluzive, që në këtë rast i kalojnë këngëtarit.
(Bluetooth/BalkanWeb)







0 comments:
Post a Comment