Shqipëria është një tokë e mbushur plot surpriza dhe e aftë
për të mahnitur edhe turistin më skeptik. E gjendur mes maleve dhe
detit, Shqipëria është një vend ku mund të ngelesh pa mend nga kultura
dhe nga panoramat e saj natyrore.
Për të apasionuarit pas turizmit malor Shqipëria po ju pret. 70 km
larg qytetit të Shkodrës, në zemër të alpeve shqiptare ndodhet Thethi.
Ai shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur,
livadheve e sidomos ngjyrave. Shtëpitë karasteristike të zonës, gatimet
tradicionale por edhe shumë aktivitete argëtuese i bëjnë pushimet tuaja
të paharrueshme.
Në veri të vendit nuk duhet lënë pa vizituar Lugina e Valbonës
në Tropojë. Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të
stilit tradicional me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla,
vizitorët gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, si dhe zjarr për
t’u ngrohur. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete. Lundrimi
me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për
këdo që viziton Tropojën.
Në juglindje të Shqipërisë Voskopoja është një prej
fshatrave ku kultura, tradita dhe peizazhi unifikohen në mënyrë
harmonike për t’i dhënë asaj vlera turistike të përhershme.
Por Shqipëria fantastike kompletohet edhe me pjesën e bregdetit.
Mjafton të afrohesh në qytetin e Sarandës për të zbuluar pjesë
mahnitëse të Detit Jon, aq sa mund të mos pendohesh që s’je në detin e
Karaibeve. Plazhi Palas i Vlorës, për shembull, meriton
sigurisht një qëndrim të gjatë. I shtrirë në bregun e shkëlqyer që
përfshin Qafën e Llogarasë dhe Sarandën, ai karakterizohet nga shtëpiza
të bardha dhe fshatra të vogla, të cilat shtrihen në një zonë të artë të
rrethuar nga natyra e bukur.
Ndër vendet më joshëse është gjiri i Kakomes, një nga zonat më të bukura detare të bregut ballkanik.
Në bregdetin jonian ndër më të frekuentuarit është plazhi i Dhërmiut. Qetësi, bregdet të pastër, por edhe gjelbërimi në disa pjesë të tij i bëjnë të veçanta pushimet në të.
Kur zbret në plazhin e Dhërmiut nuk mund t’i rezistosh një rikthimi
të dytë. Plazhi i copëtuar në gjatësinë e tij rezervon gjire të pafund e
zona të pashkelura kurrë.
Jala është një tjetër perlë që mbush mozaikun e
plazheve të detit Jon. Por ata që plazhin e duan me rërë Deti Adriatik
ofron mundësi pa fund. Ndër më të veçantit është plazhi i Tales në Lezhë, zonë kjo e konsideruar e virgjër e gati-gati e panjohur për shumë kënd.
Kombinimi pamjeve mahnitëse në mal dhe bregdeti i mrekullueshëm janë vetëm disa nga bukuritë që natyra i ka dhuruar Shqipërisë.






0 comments:
Post a Comment