TIRANE - Agjencia e lajmeve AFP raporton SE Google
përballet me mundësinë e një padie, për shkak të vendimit që në
shërbimin Google Maps të mos e emërojë detin që ndan Iranin nga shtetet
fqinje arabe në rajon.
Fjala është për detin që iranianët e
quajnë Gjiri Persik, ndërsa shtetet arabe e quajnë Gjiri Arabik. Tashti,
Irani e kërcënon kompaninë Google me akuzat për “dëme serioze” nëse kjo
hapësirë nuk emërohet si Gjiri Persik.
Kundërshtimet kanë nisur
në fillim të muajit, kur agjencia iraniane e lajmeve IRNA tha se Google
e ka fshirë shënjimin “Gjiri Persik” në Google Maps. Pavarësisht
presionit në rritje nga vendet arabe, si Arabia Saudite, Bahrejni,
Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvajti që deti të quhet Gjiri
Arabik, apo që të përdoren të dy emërtimet, Irani këmbëngul në tezën se
dëshmitë historike tregojnë se deti ka qenë gjithmonë "i Persisë".
"Në
qoftë se Google nuk e korrigjon këtë gabim sa më shpejtë që është e
mundur, ne do ta bëjmë një akuzë zyrtare kundër tyre", tha ministri i
jashtëm iranian, Ramin Mehmanparast.
Google mohoi akuzat, duke
pretenduar se ky det në hartat e saj nuk është shënjuar kurrë. Zëdhënësi
i kompanisë tha për BBC se ata nuk mund ta emërojnë çdo lokalitet në
botë, ndonëse nuk ka mundur ta cekë një shembull si ky ku mungon
emërimi.
Duhet të theksohet se një shërbimi tjetër, Google Earth, këto ujëra i emëron edhe si Gjiri Persik e edhe si Gjiri Arabik.






0 comments:
Post a Comment