Rona Nishliu me këngën e saj baladë, ‘Suus’, ka arritur ta çojë
Shqipërinë në natë finale të festivalit të këngës ‘Eurovizion’, i cili
këtë vit zhvillohet në Azerbajxhan, gjë që nuk ndodhte prej disa vitesh
tashmë me përfaqësuesit e vendit tonë në festivalin europian të këngës.
Në natën e parë gjysmëfinale
të ‘Eurovizionit’ konkurruan tetëmbëdhjetë këngë, të cilat u votuan nga
juria e secilit shtet pjesëmarrës të natës së parë, ndërsa votave të
profesionistëve iu shtuan edhe ato të teleshikuesve. Performanca e
ndjerë dhe vokali i plotë i Rona Nishliut është shoqëruar me
duartrokitje gjatë këngës nga mijëra spektatorët që e ndiqnin spektaklin
në sallë. Rona e ka interpretuar në një mënyrë mjaft të ndjerë këngën,
madje është përlotur disa herë gjatë saj dhe në fund të performancës
është larguar me nxitim nga skena për shkak lotëve që i binin pa pushim.
Këngëtarja kosovare është shprehur përpara interpretimit të saj se,
kënga do të ishte një homazh për shpirtrat e viktimave të aksidentit të
rëndë të Himarës, i cili ndodhi të hënën e kësaj jave.
“Kam
qenë shumë e ndikuar prej tragjedisë që ka ndodhur dje. Ishte një
përgjegjësi e rëndë mbi supet e mia. Janë disa gjëra më shpirtërore se
çdo gjë tjetër”, – ka thënë Nishliu, pas interpretimit të djeshëm, i
cili rezultoi një sukses i vërtetë për Shqipërinë. Festivali i këngës
‘Eurovizion’ është ndjekur nga mbi 100 milionë telespektatorë nëpërmjet
ekraneve në 50 vende të botës.
Ndërkohë, për shkak të zisë
kombëtare të ditës së djeshme si homazh për 13 jetët e fikura nga
aksidenti i tmerrshëm i Himarës, televizioni publik shqiptar nuk e ka
transmetuar drejtpërdrejtë natën e parë të festivalit. Transmetimi i
festivalit, i regjistruar ka filluar në orën 00:05 të ditës së sotme,
kur edhe ka mbaruar dita e zisë. Një fakt i tillë u vu në dukje dhe nga
prezantuesja e festivalit dhe ka marrë mirëkuptimin e organizuesve të
‘Eurovizionit’, të cilët kanë siguruar se një gjë e tillë nuk do të
ndikojë te përfaqësimi i Shqipërisë në këtë festival.






0 comments:
Post a Comment